Rreth ungjillit të Markut

Ungjilli i Markut është shkrimi më i lashtë i shkruar i Jezusit të Nazaretit, i shkruar rreth vitit 65 pas Krishtit nga një shok i ngushtë i Jezusit dhe dishepullit të tij, Pjetri. Marku është pjesë e Biblës së Shenjtë — libri i dytë i Dhiatës së Re. 16 kapitujt e saj të mbushur me veprime zbulojnë identitetin unik, mësimin dhe veprat e Jezusit. Ungjilli do të thotë “lajm i mirë”, dhe Marku e përshkruan këtë libër si “lajmin e mirë për Jezusin Mesinë”.

Çfarë është Ungjilli?

Bibla e Shenjtë na mëson se të gjithë njerëzit meritojnë turp dhe gjykim për mëkatin tonë. Por lajmi i mirë është se Jezusi vdiq në kryq dhe mori gjykimin që ne meritojmë. Ai u ringjall nga të vdekurit ditën e tretë për të provuar se ka paguar për mëkatin e të gjithëve që i besojnë atij. Dhe kur besojmë Jezusin si Zot dhe Shpëtimtar, Perëndia na fal plotësisht dhe përgjithmonë. Ne përjetojmë një marrëdhënie të vërtetë dhe të rivendosur me Perëndinë që nuk do të përfundojë kurrë.

Këshilla për lexim

Ju mund ta shfletoni këtë libër sipas numrave të kapitullit dhe vargut (shihni lidhjet në fund të faqes për të ndryshuar kapitullin). Për shembull, 'Marku 8:29' i referohet kapitullit të Markut 8, vargut 29. Për shkak se Bibla është një libër i vjetër nga një vend tjetër, ka shumë gjëra që mund t'i keni të vështirë t'i kuptoni në fillim. Kur kjo ndodh, lutuni për ndihmën e Perëndisë dhe konsideroni leximin e librit me një ndjekës me përvojë të Jezusit. Komentet në internet si bibleref.com gjithashtu mund t'ju ndihmojnë ndërsa studioni.

Marku

Marku 15

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
1Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedri bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit.
2Dhe Pilati e pyeti: ''A je ti mbreti i judenjve?''. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: ''Ti e thua!''.
3Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak.
4Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: ''Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!''.
5Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur.
6Dhe në çdo festë ishte zakon t'u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin.
7Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje.
8Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta.
9Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: ''A doni t'ju liroj mbretin e judenjve?''.
10Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira.
11Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t'u lironte atyre Barabanë.
12Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: ''Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të judenjve?''.
13Dhe ata bërtitën përsëri: ''Kryqëzoje!''.
14Dhe Pilati u tha atyre: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: ''Kryqëzoje!''.
15Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej.
16Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën.
17E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye.
18Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i judenjve!''.
19Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin.
20Pasi e tallën, ia hoqën purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.
21Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij.
22Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: "Vendi i Kafkës".
23I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.
24Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t'i binte secilit.
25Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan.
26Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: "Mbreti i judenjve".
27Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij.
28Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: ''Ai u përfshi ndër keqbërësit''.
29Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: ''Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë,
30shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!''.
31Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshin njëri-tjetrit: ''Të tjerët i shpëtoi, por veten s'mund ta shpëtojë.
32Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë''. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë.
33Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë.
34Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: ''Eloi, Eloi; lama sabakthani?'', që e përkthyer do të thotë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''.
35Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshin: ''Ja, ai po thërret Elian!''.
36Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: ''Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë''.
37Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën.
38Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund.
39Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: ''Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!''.
40Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Ioses dhe Salomeja,
41të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem.
42Pastaj, u afrua tashmë mbrëmja, sepse ishte Përgatitja, domethënë vigjilja e së shtunës,
43Jozefi nga Arimateja, një këshilltar i respektuar, i cili priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë, me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit.
44Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur. Dhe thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohe.
45Dhe si u sigurua nga centurioni, ia la trupin Jozefit.
46Ky, mbasi bleu një çarçaf, e zbriti Jezusin nga kryqi, e mbështolli në çarçaf dhe e vuri në një varr që ishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur para hyrjes së varrit.
47Dhe Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Ioses, vërenin ku e vunë.

Ku do të dëshironit të shkoni më pas?