Rreth ungjillit të Markut

Ungjilli i Markut është shkrimi më i lashtë i shkruar i Jezusit të Nazaretit, i shkruar rreth vitit 65 pas Krishtit nga një shok i ngushtë i Jezusit dhe dishepullit të tij, Pjetri. Marku është pjesë e Biblës së Shenjtë — libri i dytë i Dhiatës së Re. 16 kapitujt e saj të mbushur me veprime zbulojnë identitetin unik, mësimin dhe veprat e Jezusit. Ungjilli do të thotë “lajm i mirë”, dhe Marku e përshkruan këtë libër si “lajmin e mirë për Jezusin Mesinë”.

Çfarë është Ungjilli?

Bibla e Shenjtë na mëson se të gjithë njerëzit meritojnë turp dhe gjykim për mëkatin tonë. Por lajmi i mirë është se Jezusi vdiq në kryq dhe mori gjykimin që ne meritojmë. Ai u ringjall nga të vdekurit ditën e tretë për të provuar se ka paguar për mëkatin e të gjithëve që i besojnë atij. Dhe kur besojmë Jezusin si Zot dhe Shpëtimtar, Perëndia na fal plotësisht dhe përgjithmonë. Ne përjetojmë një marrëdhënie të vërtetë dhe të rivendosur me Perëndinë që nuk do të përfundojë kurrë.

Këshilla për lexim

Ju mund ta shfletoni këtë libër sipas numrave të kapitullit dhe vargut (shihni lidhjet në fund të faqes për të ndryshuar kapitullin). Për shembull, 'Marku 8:29' i referohet kapitullit të Markut 8, vargut 29. Për shkak se Bibla është një libër i vjetër nga një vend tjetër, ka shumë gjëra që mund t'i keni të vështirë t'i kuptoni në fillim. Kur kjo ndodh, lutuni për ndihmën e Perëndisë dhe konsideroni leximin e librit me një ndjekës me përvojë të Jezusit. Komentet në internet si bibleref.com gjithashtu mund t'ju ndihmojnë ndërsa studioni.

Marku

Marku 2

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
1Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në Kapernaum dhe u mor vesh se ai gjendej në shtëpi;
2dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën.
3Atëherë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë.
4Por, duke qenë se nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.
5Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: ''O bir, mëkatet e tua të janë falur!''.
6Por aty po rrinin ulur disa skribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin:
7''Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?''.
8Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: ''Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?
9Çfarë është më lehtë: t'i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur", apo t'i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"?
10Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi dhe,
11unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!"''.
12Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: ''Një gjë të tillë s'e kemi parë kurrë!''.
13Jezusi doli përsëri gjatë bregut të detit dhe gjithë turma erdhi tek ai dhe ai e mësonte.
14Duke kaluar, pa Levin, birin e Alfeut, i cili qe ulur në vendin e tatimeve, dhe i tha: ''Ndiqmë!''. Ai u ngrit dhe e ndoqi.
15Dhe ndodhi që, kur Jezusi ishte në tryezë në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës dhe mëkatarë u ulën në tryezë me Jezusin dhe me dishepujt e tij; në fakt ishin shumë ata që e ndiqnin.
16Atëherë skribët dhe farisenjtë, duke e parë se po hante me tagrambledhës dhe me mëkatarë, u thanë dishepujve të tij: ''Qysh ha dhe pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?''.
17Dhe Jezusi, kur e dëgjoi, u tha atyre: ''Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim.
18Atëherë dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve po agjëronin. Ata erdhën te Jezusi dhe i thanë: ''Përse dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve agjërojnë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?''.
19Dhe Jezusi u përgjigj atyre: ''Vallë a mund të agjërojnë dasmorët, ndërsa dhëndri është me ta? Për sa kohë kanë më vete dhëndrin, nuk mund të agjërojnë!
20Por do të vijnë ditët kur do t'u merret dhëndri dhe atëherë, në ato ditë, ata do të agjërojnë.
21Askush nuk qep një copë stof të ri mbi një rrobë të vjetër, përndryshe copa e re e shkul gjithë arnesën dhe shqyerja bëhet më keq.
22Po ashtu askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër, përndryshe vera e re i prish kacekët, vera derdhet dhe kacekët shkojnë dëm; porse vera e re duhet shtënë në kacekë të rinj''.
23Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj.
24Dhe farisenjtë i thanë: ''Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?''.
25Por ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë ç'bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç'qenë me të?''.
26Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?''.
27Pastaj u tha atyre: ''E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.
28Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''.

Ku do të dëshironit të shkoni më pas?